E licencuar nga "MASHT" nga viti 2002

KONCERTI I FESTAVE TE FUNDVITIT

Më 21 dhjetor 2016, Salla e kuqe në Pallatin e Rinisë ka qenë e tej mbushur nga fëmijët dhe prindërit të cilët kanë shijuar programin muzikor të organizuar nga miqtë e tyre që janë pjesë e shkollës së muzikës "Amadeus". Të veshur solemn e plot klasë nxënësit e shkollës së muzikës "Amadeus" shfaqën pikat e tyre muzikore për koncertin e 38-të me radhë për festa të fundvitit, shkruan kultplus.

Koncerti filloi me një vals nga vajzat e që ishin pjesë e grupit të baletit tek mësuesja Nexhmije Selça të cilat gjersa vallëzonin nuk harronin që edhe publikut t’i dhuronin buzëqeshje. Pastaj para publikut këngën “Gëzimi i shkollës” e këndoi Aris Beqiri, për t’i lënë vend pastaj Ariona Ramadanit me “Kënga e qershisë”, dhe Bora Berishës e cila performoi në piano këngët “Bingo dhe Happy Birdhday”.

Koncerti vazhdoi me paraqitjen e Erblina Hotit, Feta Svarça, Andrra Kubati, Linor Sadiku, Endrin Gashi, Loreta Cakolli, Tiana Bajrami, Martin Beqiri, Bujar Krasniqi, Leta Hasani, Nar Bajrami, Luizë Beqiri, Rejda Isufi, Vesa Kasapolli, Daria Gjonbalaj, Elena Halilaj, Dorina Azemi, Mal Kubati, Ema Thaçi, Elena Halilaj, Elsa Morina, Sparta Gorani, Viola Brovina, Zgjim Beha, Ardit Ramadani, Dorina Latifi, Korab Gashi, Olti Berisha, Jora Ismaili,  dhe Auron Ismajli.

Nxënësit të cilët kishin filluar përgatitjet për këtë koncert tre muaj më parë treguan aftësitë e tyre në këndim, vallëzim, piano, flaute, violinë, klarinet, bateri dhe rrëmbyen zemrat e publikut.

Kësaj here, koncerti i festave të fundvitit është përkrahur me shumë dashuri nga Banka për Biznes, e cila siguroi dhurata pë fëmijët mysarif dhe nxënësit e shkollës "Amadeus"

Drejtoresha e shkollës Valbona Pula tha se mbajtja e këtij koncerti është kthyer në një traditë e cila dëshiron ta bartë mesazhin tek fëmijët që ata ta ndihmojnë njëri-tjetrin, ta respektojnë dhe të falin sa më shumë dashuri.

“Zakonisht për festa të fundvitit në koncertin që e organizojmë ftojmë edhe mysafirë e ata janë edhe mysafirë të veçantë e jashtëzakonisht të dashur për ne të cilët janë fëmijët nga SOS fshati dhe fëmijët me nevoja të veçanta, sepse e konsiderojmë që është një gjë humane dhe tregojmë edhe një kujdes ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta dhe kjo mund edhe t’i motivojë ata që përmes dëgjimit të muzikës klasike të merren edhe vetë me muzikë, pra është përfitim i dyfishtë për fëmijët”, tha Valbona Pula për kultplus.

Shkolla “Amadeus” çdo vit organizon nga tri koncerte publike një në muajin prill, një në qershor dhe koncertin përmbyllës të festave. A.H / KultPlus.com