E licencuar nga "MASHT" nga viti 2002

Koncerti i fundvitit shkollor 2017/2018

Më 14 qershor 2018 , Salla "Diar" e Swiss Diamond Prishtina ishte e tej mbushur nga fëmijët, prindërit dhe artdashësit e muzikës klasike, të cilët prisnin me padurim performimin për koncertin e fundvitit shkollor 2017/2018. Të gjithë nxënësit e shkollës Amadeus ishin të veshur  me motive vjollcë dhe nën hijen e tremës para performimit, ata shkëlqenin si yje të ndryshme në qiell. 

Pjesa e parë e koncertit filloi në orën 18:00, ku performuan nxënësit e klasës së parë si dhe dy grupet e baletit. Nxënësit e klasës së parë performuan pika solistike në piano, violinë, kitarë, flaut, këndim dhe klarinet. Tashmë për këta nxënës ishte hera e dyte ose e tretë në skenë, por këtë herë më me vetëbesim dhe gëzim për përfundimin e vitit të parë. Grupi i fëmijëve të baletit dhuruan një shfaqje fantastike. Me pjesë nga Don Quishoti ato nuk harruan asnjëherë të i dhuronin publikut buzëqeshje. Mësuesja Nexhmije Selca ishte shumë krenare me punën dhe kurorëzimin me këtë koncert. 

Pjesa e dytë e koncertit filloi në orën 19:00. Nxënësit që tashmë kishin më shumë përvojë në skenë shkëlqenin në veshjet vjollcë, por edhe me përgjegjësi më shumë në skenë. Këtë herë përvec kombinimeve duo, e trio në instrumente të ndryshme muzikore dhe këndim, do të performonte edhe ansambli i shkollës së bashku me korin. Nxënësit dhuruan art me pika të tyre solistike në të gjitha instrumentet muzikore. Treguan se gjatë tërë vitit është bërë një punë e madhe me ta. Qershia mbi tortë e këtijë koncerti ishte performimi i ansamblit të shkollës me veprën "Moj e bukura More" e realizuar nga mësimdhënësi Vehbi Shosholli.  Një sinkronizim shumë i bukur nga nxënësit që luajtën në flaut, violinë, klarinet, bateri, piano e kitarë duke iu bashkangjitur edhe kori i shkollës. 

Ditë e vacantë ishte edhe për nxënësin Auron Ismaili, i cili pas 4 viteve shkollim në drejtimin e solokëndimit diplomoi solemnisht këtë fundvit shkollor tek mësimdhënësja Adelina Paloja. Ceremoni e bukur e diplomimit me fjalim të përkushtuar nga themeluesja e shkollës Valbona Petrovci dhe mësimdhënësja e solokëndimit Adelina Paloja.

Tash e 16 vite pune, koncertet e shkollës së muzikës "Amadeus" janë shëndruar në traditë të cilat kurorëzojnë punën e palodhshme të mësimdhënsve dhe stafit të shkollës. 

Qershor 2018.